Burri tek dera

Në kohën tonë, vlera e një vendi pune matet nga numri i diplomave të nevojshme, të përcaktuara për të. Në kohën që lamë pas, diplomat qenë veçse copa letrash që njerëzia i la pas në përpjekje për të shpëtuar frymën. Në atë kohë të pamatshme nga asnjë kalendar, burri tek dera ishte autoriteti më i lartë në hierarkinë e mbijetesës. Ai kishte dorezën pas së cilës ishte vazhdimësia. Ai ishte kufiri, fundi i frikës; pas tij fillimi i jetës. Ai njihte këdo kishte mbetur pas, mbante mend dhe të gjithë ata të cilëve ua kishte hapur derën. Nëse dikush përpiqej t’ia merrte mendt me para a me gjithshka tjetër materiale, ai dikush do të zinte vendin e fundit në rradhë. Ndonjë i ri edhe gabonte. Burri tek dera nuk kishte bërë më shumë se dy klasë shkollë, të tjera ishin aftësitë e tij. Ai kishte mbajtur të gjallë aftësinë e të qenurit ende njeri përpos gjithshka i kishin parë sytë. Kur arrita të jem rreth fillimit të rradhës, aq pranë derës, ishte ai që më fliste qetë-qetë. Ai ishte libërthi i portës, udhëzuesi i vetëpërmbajtjes që ishte çelësi i hapjes së asaj porte. Sa herë më vjen ndërmend ai burrë tek dera, pyes veten si mundej të ishte ai që ishte, njeri, në ato kushte ku punonte? Si mund të shikonte aq kthjellët kur shikimi i përplasej veç me sy të zgurdulluar e veshët i dëgjonin veçse zëra të çjerrë? Ku të ishte sot burri i derës? Të jetë duke mbajtur ndonjë tjetër derë, ndonjë tjetër rradhë? Burri tek dera s’kishte klasë, kishte mendim, kishte fjalë dhe dinte kur, kujt dhe si t’ia thoshte, rast pas rasti. Burri tek dera ishte njeri!

Dyert Hapur ©

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.