Çfarë dita sjell 1/3

Nuk dua të shkruaj për ngjyrat e mrekullueshme të jetës sonë, ato flasin vetë e s’kanë nevojë për shërbesa.
Nuk dua të shkruaj për sheqerin, por për kripën e ato grimca piperi që të mbeten gjatë në qiellz edhe pasi ke përtypur ushqimin.

Një e treta e jetës sime “deri më sot” ka kaluar me ty. Thënë kështu përngjan me recetën e ndonjë kuzhinieri që di mirë çfarë do të trazojë. Ndërsa ne, dy të panjohur që u përplasën në të njëjtin plan e në të njëjtën shtrirje kohore, thjesht u gjendëm për një çast në të njëjtën masë që jeta trazoi.
Nuk dua asnjë fotografi për të rizgjuar kujtimet e kësaj “një të trete”; nuk do më shërbente për asgjë. Mjafton të trokas me fuqinë e shpirtit nën zë e do të hapen kanatet e një kështjelle plot; plot përpjekje, plot dashuri e përkujdesje, plot “përleshje” pse jo. Përleshje tonat, njerëzish të thjeshtë po aq sa të ngatërruar që bien të flenë e zgjohen sërish me lëmshe ndër duar. Deri më sot kemi përvetësuar një duzinë artesh të reja; artin e të lexuarit të heshtjes, ulërimën e nënqeshjesh, buzagazin e lotëve, vlerën e paçmueshme të pritjes, energjinë e kapërcimit dhe aftësinë e pashmangshme të përshtatjes me “çfarë sjell dita”.
Jemi shndërruar? Shumë. Hera-herës shoh tek ti atë që unë isha dje, të kundërtën ndonjëherë.
Të kalosh “një të tretën e jetës deri sot” nuk do mund të ishte më “jetë” se kaq.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.