Çfarë dua të di nga ty?

Çfarë dua të di nga ty?
Gjërat më elementare që është e mundur të di? Për shembull, kur zgjedh çorapet çfarë ke ndërmend? Ngjyrën e tyre apo veshjen e fundit me të cilën i kombinove dhe si e kalove atë pasdite?
Kur vishesh, çfarë mendimesh përcjell? Ato të një dite të re përpara, apo të një dite të lodhshme të shkuar?
Kur kyç derën nga jashtë, mendon për autobuzin që mund të të ketë lënë tashmë, apo për rrugën që përshkon një vijë të gjelbër, që mund ta shijosh më këmbë?
Kur je në punë, je i gjithi i zyrës, i kolegëve, i shifrave, i fjalëve, apo ke një cep të vogël për veten, për mua?
Kur bëhesh gati për kthimin në shtëpi, gjendesh duke nxituar, apo je i qetë pasi pasditja është e gjatë dhe je i qartë se do mundesh të takohesh me miq, t’a pish një pije, të ëmbëlsohesh disi?
Kur bie të flesh në darkë, përpëlitesh mes mendimesh e mbulesash, a kthehesh përmbys dhe e sotmja le të marrë fund?
Ja! Këto detaje pa shpenzime do doja! Gjëra të vockla me të cilat mbushet shporta e madhe e njeriut që je!

Dyert Hapur ©

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.