Dehshëm

Dehshëm e kam nisur ditën sot. Në fakt dita nisi, nuk e nisa unë. Dita dehshëm më gjeti nga nata e gjatë dhe e pafjalë, nga nata ku në tavolinë gjendesha unë, një shishe whiskey dhe një tavëll cigare e shkundur. Cigaren u bë kohë që nuk e pi më, tavlla ma bën më të përballueshme zjarrminë e shpirtit sa herë i shkon mendja të zhduket mes shtëllungës së zymtë.
Tavlla është aty e mendja rreket të mendojë se cigarja sapo u shua. Ç’te thotë mendja natën, çudi!
Në të zbardhur sytë më digjnin, s’kisha më as lot për t’i shpëlarë, nata i kish’ tharë me zagushinë e saj mbytëse.
Dehshëm më gjeti dita. Dehshëm dola nga dhoma e përqafova secilin mendim. Më këmbë të marra, me trupin e lëshuar mbërtheva të përditshmen në grushtat e mi, që si për mrekulli, i shtrëngoj ende fort.
Dehshëm, e megjithatë njeriu e dashka kaq shumë të zakonshmen e tij sa gjen forcë dhe e shtrëngon atë fort. Përtej çdo vrage të shkuar, të trazuar, të tretur ne alkool, njeriu më së shumti do të jetë sot!

Dyert Hapur ©

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.