Dhoma

Letra pa fund gjen tutjetu dhomës së gjumit. Letra të bardha akull, letra të verdha, letra të zhgarravitura, letra me gërma të printuara që herë renditen drejt si ushtarë e herë spërdridhen si të ishin gjarpërushë të dalë nga ndonjë fabul e çuar dëm aty nga fundi. Letra gjen dhe mbi shtrat, nën jastëk, në dollap. Letra kudo! Nëse një i huaj do hynte në dhomën time të gjumit do të mendonte se unë nuk kam fjalë, nuk kam zë. Një letër për çdo fjalë të një shpirti memec. E nëse një ditë, krejt papritur në këtë dhomë do të ktheheshe ti do të ishe në gjendje të peshoje masën e matufepjes që më ka rënduar tërë këto kohë mungesash. Hah, fletët e kalendarit i gjen përtokë gjithashtu!
E ndaj, nëse ndonjëherë me vështirësi shkëputesh nga matanë receptorit duke mos reshtur së pyeturi përse nuk nisem të vi, ta dish se kam punë për të bërë. Tërë këto letra kërkojnë kohë, ngé për t’i shpluhurosur e mirëmbajtur në këtë gjurulldi që më ka rënë për pjesë ta quaj “dhomë”.

Dyert Hapur ©

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.