Dikujt, askujt, gjithkujt

Jam entuziast për arritjet e mia. Përtej modestisë, rrobë që e mbaj veshur gjatë orarit zyrtar, kam arritur në nivele të pamatshme kënaqësie. Në pasditet e mia, vetëm të miat, në harkun kohur i cili të përkushtohet ty, vetëm ty, përballë letrës së zbardhur shikoj të pasqyrohet fytyra e një burri të përmbushur. E s’di pse i trembem kësaj!? Shikoj se si pasqyrimi nis të zhubravitet në hije të çrregullta. Jam i lumtur që përpos çdo zinxhiri, guri peshe a tymnajë ogurzezë kam mësuar të eci pavarësisht, bindshëm, lehtshëm. Jam i lumtur që kam mësuar të peshoj sipas njësive të mia secilin veprim timin të ndërgjegjshëm dhe sërish të jem i lirë, pavarësisht se peshorja shpesh qëllon t’i jetë marrë hua dikujt.
Jam i lumtur, por e gjithë kjo lumturi më tremb pasi nuk mund t’ia ndaj askujt. Jam unë, lumturia ime dhe kjo letër e bardhë që vazhdon të zhubravitet nga mungesa e gjithkujt.

Dyert Hapur ©

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.