Distanca

Kristalet e kohës i mblodha një më një e mbusha me to orën e rërës që më pate dhuruar në takimin tonë të dytë. Gjatë lëvizjeve të rrëmujshme kapaku ishte prishur dhe rëra ishte shpërbërë rrugëve. Tashmë do të mundem sërish të mas në njësi malli lumturinë e kohëve kur ne të dy ishim një; një mëngjes në bregdetin plot guaska që kërcasin nën këmbët zbathura të fëmijëve, një pasdite në bibliotekën e përmbytur nga trilli i një jete, një mbrëmje e stolisur nën teminat e qiellit.  Në një ishin shkrirë hijet tona që zgjateshin rrugëve plot shpresë. “Distanca nuk mat largësinë” – dikush ka shkruar në muralen për karshi dhomës sonë. E urrej! E urrej këtë shkrim dhe gjithë gënjeshtrën që ka stisur kaq bukur në përpjekje për të mbajtur gjallë dy shpirtra, dy shpirtra  si tanët. Veç ne, letrat tona dhe vija që përshkojnë këto rreshta mendimi munden të ndjejnë ndjesinë e athët e përvëluese të mungesës, largesës apo çdo fjale tjetër të krijuar ndër vite për të përfaqësuar denjësisht shpirtin e cunguar prej njeriut të munguar.

Dyert Hapur ©

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.