Ditë pushimi

Sot u zgjova në vetminë e një ditë vjeshte aq egoiste sa as edhe një gjethe verdhacuke nuk u lëshua nga dega. Shtrojat e shtratit më janë ngatërruar keqazi nëpër trup; nuk pata një gjumë të qetë. Thua ta kem parandjerë këtë mëngjes të vetmuar?! Shtriqem, zgjatem e mblidhem sërish. Nuk kam planifikuar asgjë për ditën e sotme. Kur bëra planet e ditëve të pushimit, këtë ditë e pata lënë bosh; asnjë shënim, asnjë takim. Sot është dita jonë; e imja dhe e vetmisë dhe si e çdokujt edhe kjo e imja e ka një emër. Ti! Tek ty strukem sa herë dua të refuzoj botën dhe gjithë kohën që vazhdon të më rrëmbejë larg, kot më së koti. Zhytem poshtë jastëkut e dal sërish në dritë. Ndjehem kaq mirë në lirinë time prej njeriu të vetmuar që mund ta çojë mendjen e tij kudo, kurdo pa u penguar nga askush, as nga gjethet madje. Ndjehem kaq mirë që edhe paçka lirisë, sërish mundem të “burgosem” tek ti; të shtrihem përbri dhe të shëroj vragat e mbetura nga ditë të zhurmshme, të rrëmujshme. Ndjehem kaq mirë mendjen time të lirë!
Dikush i bie derës fort, aq fort sa detyrimisht ngrihem vrigthi nga shtrati e shfaqem pas dere. Kujdestari i godinës kërkon pagesën e rradhës.
E nga ta dijë ai që nuk ishte shënuar në planet e mia të ditës së vetmisë?

Dyert Hapur ©

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.