Dyer te hapura

Nje mendim per ty, nje mendim nga ty!

Drita ndër duar

I dashuri im përtej të sotshmes! Që nga dita kur nisa të shkruaj këto copëza letrash, shumë udhë kanë marrë drejtime të ndryshme; disa qenë ura, u shembën, disa qenë shtigje, u shtruan. U deshën plot ose pothuajse, 150 dërgesa të tilla postare që të arrija në përfundimin se sot kam po të njëjtën dritë ndër duar. Të të flas nuk është e lehtë pasi je përtej të përditshmes, e ndaj shkruaj të të kujtoj se:
Qëndroj në heshtje mes rrëmujës kumbuese, prehem mbi të dhe dëgjoj. Ende.
Eci herë në dritë e herë në terr, sado-sado ka plot burime verbuese përreth; njeriut i duhet t’i mbyllë sytë shpesh herë. Nuk ndaloj.
Përpiqem të mbaj së brendshmi dëshirën për të qënë kjo që jam megjithë ç’ka ndodh, çfarë vjen e rrëfehet, çfarë në hije zbehet. Ende.
Nëse u deshën kaq letra për të të kujtuar, po aq do të duhen për të mos harruar se isha e mbetem me dritën ndër duar!

Dyert Hapur ©

Iva Verzivolli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Back to top
Këtë e pëlqejnë %d blogues: