Dua të jem

Brenda njeriut që jam tretet dita-ditës ai që dua të jem. Tretja edhe pse e ethshme është e ndjeshme veçse përgjatë kilometrave të damarëve të mi. Në mbarim të tyre nis shporta e velshme e buzëqeshjeve të ngrira mbi siprinën e gdhendur me mund. E gjithë shporta për ju, unë jam velur!
Nuk ka një kombinim shkronjash që të marrë përsipër pasthirrmën shpirtërore që po tretet dhimbshëm brenda njeriut që jam. Mbërthyer pas trungut të heshtjes, ia shikoj gishtat tek lëngojnë humbjen e njeriut që deshi qielli t’ia zhvasë.
Dua të jem një tufë e tërë kuajsh të tërbuar që shkundin tokën gjer’ në terr; të jem një stuhi vetëtimash që djeg qiellin lajkatar deri në agim; të jem dallga e lartë e plot mëri që përpin bregun me gjithë gurët e zinj. E më vjen të qesh, se gjith’ çfarë di të jem është një buzëqeshje, një përpjekje mbi siprinën gri.

Dyer Hapur ©

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.