Gjethet

Natyra është kujdesur aq shumë të mos e lërë njeriun të mërzitet për shkak të kohës së lirë. Ngre kokën e mund të numërosh yjet, nëse për ndonjë shkak pëson marramendje, ul kokën e numëron gjethet vjeshtarake. Sigurisht, këto argëtime bazike kalojnë shpërfillshëm në mendjen tënde. Ti, njeri i ditës dhe i natës; njeri i shpejtësisë, i dallgës, i baltës, i erës, i shiut, i tingujve të lartë, i kërcimit, i djersës, i vrapit. Ti e ke sot ditën plot! Ti sot jeton në qytetin që ushqehet me jetë. Ndërsa unë, rrotullohem ende në këtë lagunën e vogël blu, ku ka veç ujë, tokë e pemë. Zgjohem çdo mëngjes sikurse në mëngjesin pararendës nga e njëjta fole zogjsh mbi çati. Ndaj, tashmë, thjesht për të dalluar ditët çifte nga ato teke, një ditë do të merrem me apelin e yjeve e një ditë me të gjetheve. Këto të fundit do të më hapin punë, janë të pabindura e fluturojnë krahëve të erës. S’ka gjë, unë jam e duruar, si vetë jeta që i ka e i lëshon ndër duar.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.