Karuseli

Koha, a jeta, a të dyja bashkë rrotullojnë boshtet tona si një karusel. Herë ngjitemi lart, ngadalë – ngadalë e herë zbresim poshtë në më të vrullshmin hap. Shtrënguar mbajmë duart në hekurishtet e kabinave plot ngjyra, si në ngjitje dhe në zbritje; është po i njëjti “hall” – se mos biem nga lart, se mos përplasemi për poshtë.
Karuseli qesh me dritat e tij që miklojnë ditën po aq sa dhe natën urinë tonë për të prerë biletën, për të zënë një vend.
Ai qesh, kurrë nuk gjëmon, nuk ankon, nuk gërthet. Qesh me qetësinë që mundet të qesh koha, a jeta, a të dyja bashkë.
Në llozhat e tij, ulur qëndrojmë, unë, ti, ai, ajo apo dhe ata, ato dhe gjithë të panjohurit që më kot shtrëngojnë duart pas hekurishteve; në përpjekje për të mirëmbajtur lartësinë; në përpjekje për të zbutur rënien dhe paqëndrueshmërinë. Në fund të fundit, gjithmonë pas nesh, do të mbetet karuseli që qesh.

Dyert Hapur ©

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.