Kohë të vështira

Jetojmë në kohë të vështira, në kohë kur vështirë të gjesh një mike të mirë për të ndarë një ëmbëlsirë pa e vrarë mendjen se deshe të merrje pjesën më madhe. Fatmirësisht, i kam disa kilogramë tepër e mund të kaloj kohë të gjatë pa ngrënë ëmbëlsira. Gjithsesi, kjo nuk e bën kohën e sotme të jetë më e lehtë. Vështirësitë janë të shumë trajtshme! Dikush të përflet për librat që lexon, dikush për ato çfarë shkruan. Dikush të përflet se ke dashuruar, dikush përveç se të përflet, merr mundimin e krijon dhe një dramë vetëm për ty; personazh kryesor.
Ka nga ata që përpiqen të kuptojnë, madje të bëjnë temë bisede dhe më të voglën lëvizje të trupit kur ngrihet apo ulet gjatë një frymëmarrje. Kohë të vështira vërtet! Ka nga ata që mbushin të çarat e shpirtit të vet me historitë e të tjerëve në tavolina të mëdha, me shumë veshë, me pak shpresë. Ka nga ata që gërthasin “me gishta në vesh” e askush nuk i dëgjon se u është bërë ves.
Ka lloje e soje të ndryshme në këto ditë! Ditë të vështira vërtet! Ama, bëj durim, ki besim! Ka ende dhe nga ata si unë, si ti, si disa (sado pak) që mbeten mbërthyer në këtë oqean si një ajsberg. Pak kush na sheh, pak kush na njeh thellësinë nga ku jeta e vërtetë merr burim!

Dyert Hapur ©

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.