Dyer te hapura

Nje mendim per ty, nje mendim nga ty!

Kyçur

E mban mend atë copë letër, grisur nga një bllok i vjetër e shkruar me një stilolaps të rastësishëm mbi banak? Me atë letër rashë në dashuri për vite me rradhë…
E kur vjen një ditë si kjo, kur dikush pendohet për gjithë pengesat, vështirësitë e mundshme e të pamundshme që derdhi para këmbëve tona si thasë të vjetër mbetjesh shekullore, ku ta gjej durimin për të përballuar një ide si kjo: “Ku i dihet, ndoshta nuk po gabonim, ndoshta ajo ishte dashuri dhe e vetmja dashuri që mund të kishim unë e ti!?” Më thuaj ti! Ku ta gjej forcën?
Tashmë, me gjysmën e trupit në hije, me tjetrën në dritën e jetë sime sot, fshesh shpirtin, shpirtin të strukur plotësisht në hije.
Ej, unë dhe ti! Ne të dy, një thes me mbetje paragjykimesh, vulash të thata e të njoma të hedhura tutje-tu nga mendje të lodhura, por prap se prap zemra të dhembsura. E pra, jemi dashur aq shumë, sa nuk mund të të kem mik! Ndaj nuk të flas në rrugë, ndaj nuk të shkruaj, ndaj dhe nga ëndrrat të tres, të tres si kripa e sheqeri që treten në ujë.
E pra, të paktën të kishte një farë njëtrajtshmërie kjo jetë e askush të mos vijë më të më thotë: Ku i dihet! Ndoshta gabova!
Një letër e grisur, një histori e shkuar, kyçur me dry, thellë, aty ku ka zanafillën aroma e shpirtit.

Iva Verzivolli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Back to top
Këtë e pëlqejnë %d blogues: