Letër- E papostuar

Ke dëgjuar më parë të çmendet njeriu nga një shikim? Të humbasë zë, të tashme e të shkuar, për një çast të vetëm dhe veçse nga një shikim; shikim i humbur, shikim i vjedhur, shikim i drejtëpërdrejtë në një trajtë të spërdredhur.
Ke dëgjuar më parë të të ndryshojë shikimi? Të njëjtët sy, i njëjti kënd, por një lente tjetër shikimi. Kam menduar se kam gjykuar gabim, ndaj dhe në asnjë letër më të hershme se kjo nuk e pashë të arsyeshme të të shkruaja.
Ke dëgjuar më parë të kesh mall e të ndjesh mungesë për çfarëdoqoftë që nuk e ke përjetuar? Të të mungojë hapësira e një ëndrre ende pa u përgjumur?
Sot po të shkruaj, veçse letrën nuk po e postoj pasi ende jam në mëdyshjen e një amullie perceptimesh… Unë apo shikimi, cili është verbuar?

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.