Linja e autobuzit

Rrallë më qëllon të përdor linjën urbane të qytetit. Mëvetësimi i një mjeti privat transporti më ka hequr të drejtën e përjetimit të disa situatave që vetëm ngjeshur pas shpinës së një të panjohuri, me njërën dorë varur mbi trarët prej hekuri mundesh të përjetosh. Njerëzit janë të ndryshëm, të ndryshëm në çdo kuptim; nga mosha, prejardhja, fizionomia, shtresa kulturore dhe ekonomike nga vinë, ku janë e ku duan të shkojnë. Thonë se në këtë qytet nuk ka më hajdutë, por kujtesa luan lojra tekanjoze e gjithsecili prej bashkëudhëtarëve në këtë linjë urbane ruhet se mos i vidhet diçka. Të gjithë janë banorë të të njëjtit qytet, çdo ditë shkelin në të njëjtën kthesë.
Zbres nga autobuzi me duart ndër xhepa, bashkë me mua dhe të tjerë. Kthej kokën pas e shikoj teksa autobuzi vazhdon udhën e tij e mban mbi supe njerëz të tjerë, me të njëjtën frikë: përditshmëria humbet, vidhet nëpër qytet.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.