Mendim i rafinuar

Jemi kaq të çuditshëm! Qëndrojmë në tavolina të përbashkëta duke ndarë kohë, energji e lodhje mes nesh. Japim e marrim me njëri-tjetrin, thua se duhet medoemos të arrijmë një nivel të caktuar transmentimi mendimesh, perceptimesh. I shkëmbejmë këto në rrugë të ndryshme; disa të çala naiviteti, disa të thepisura ironie, të tjera rrëpira sarkazme apo dhe gremina ngacmimesh, gërvishtjesh të mbetura në përpjekje. Shpesh herë përfshihemi aq shumë a thua se vetë suksesi i ditës sonë të varej nga sasia e pengesave që i vëmë përpara rrugës së bashkëveprimit nëpërmjet një prej segmenteve (të çala, të thepisura, të rrëpira, të gremisura).
Jemi me të vërtetë të çuditshëm! Përqëndrohemi aq shumë për ta rafinuar mendimin tonë, aq sa harrojmë thelbin, i cili shpesh herë do të mund të përkufizohej në një fjalë të vetme; dashuri, përçmim, urrejtje apo fjalë të tjera të ngjashme, të cilat tashmë janë tjetërsuar në togfjalësha të rafinuar.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.