Mendimi

Teksa rri dhe të pres anës rrugës, përgjatë bulevardit të gjatë, makina lëkundet nga shpotima e simotrave të saj që çajnë membranën e padukshme të atmosferës në miliona, miliarda qeliza. Nxitojnë të gjithë pasi është ora për tu kthyer në shtëpi; të gjithë, medoemos, diçka janë duke përpunuar, madje dhe stërholluar në mendjen e tyre. Dikush një punë të papërfunduar, dikush një takim të humbur, një tjetër fëmijën që e pret me padurim t’i hidhet në krahë e të peshojë me gjithë peshën e dashurisë. Dikush mendon për prindrit që i ka larg e nuk po mundet t’i sistemojë në këtë qytet të zhurmshëm ku dhe drita e ditës ka kostot e saj. Një tjetër shkarazi çon ndërmend dashurinë e humbur, dikush njeriun e dashur që nuk e ka më pranë. Ka nga ata që mendojnë për nesër, për ditën e re që i pret, për mëngjesin e freskët, kafen e drekës, pasditen me miqtë dhe muzikën a librin në darkë. Të gjithë e kanë diçka ndërmend dhe po të gjithë janë aq të përqendruar në mendjen e tyre sa vazhdimisht, e në mënyrë të pandërprerë, harrojnë se si ta janë të gjithë. Njerëz në timon; disa presin, të tjerë shkojnë, ama vijën e mendimit njëtrajtshmërisht e përshkojnë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.