Muri

Kur fillon të ndërtosh muret e kujtimeve, e çasteve të lumtura që kanë përmirësuar cilësinë e jetës tënde, apo të çasteve të trishta qe kanë pasuruar ekzistencën tënde me dije, durim e falje, kërkon medoemos një mur të fortë ku t’i ngulësh kujtimet. Kërkon një mur të drejtë, që të mos krijojë hendeqe nga njëri kujtim tek tjetri, kërkon një mur të lartë, natyrshëm të bollshëm për të krijuar hapësirën e nevojshme. Kështu nis e i jep jetë murit nga njëra ana, ama, nga ana tjetër muri shenjohet sa herë një kujtim i ri ngulet në të. Kujtime të lumtura, të trishta, kujtime të brishta… Vjen dita kur muri nuk duket më, bëhet i padukshëm për sytë e tu. Aq shumë kujtime janë ngulur në të sa nuk gjendet më hapësira e nevojshme për ta shquar si entitet më vete. Ai, muri, nuk duket më. Veç kush ka ngulur mbi të kujtimet e tij e di mirë se ai mur është aty, do të mbetet aty, derisa kujtimet të ekzistojnë. Pa murin, kujtimet nuk do të kishin marrë dot jetë, e tash’ pa kujtimet, muri do të qe shembur bosh.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.