Dyer te hapura

Nje mendim per ty, nje mendim nga ty!

Në lagjen time

Më mungon një si vetja në këtë lagje të mbipopulluar. Më mungon dikush që, edhe kur bëhet fjalë për mëngjesin e një dite pushimi, zgjohet herët, para të gjithëve. Më duhet dikush që ta ketë vënë përpara ditën, duke nisur nga gatimi, shëtitja e qenushit, ujitja e luleve, e të tjera si këto. Nëse njeriu i përmbush këto punë, në dukje të rëndomta, më pas është i paqtë dhe mund të përjetojë plotësisht kafen e parë të ditës. Kur mendja nuk është e shqetësuar për  punë të vogla si këto, mundet ta shijojë në mënyrë të përkryer kafen e mëngjesit e të shkëmbejë biseda mbi jetën, fëmijët, punën e përditshmërinë me gjithë telashet e saj.
Me gjithë mbipopullimin e banesave, nuk gjen askënd në rrugë në orën që dal unë; edhe kamarieri që e ka një punë është ende në gjumë. Këtu të gjithë flenë gjysmën e parë të ditës. Më pas zgjohen, fërkojnë barkun e konsumojnë ushqim të gjendshëm. Këtu të gjithë tërheqin këmbët zvarrë, masin trotuaret e rrugëve gjatë pasdrekës, e në darkë u vënë flakën shkarpave, karrocave, pemëve të njoma e të thata.
Më mungon kushdo që njeh vlerën e ditës, vlerën e zgjimit, vlerën e fjalës! Mungojnë në këtë lagje shpirtrat e punuar nga drita dhe dashamirësia, gjenden e derdhen rrugëve në orët e vona veç drunjtë e zdrukthuar nga klithma, të çoroditur nga turma, të përhumbur nga përgjumja.
Sot lexova gazetën dhe e piva kafen sërish vetëm. Nesër është ditë pune.

Dyert Hapur ©

Iva Verzivolli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Back to top
Këtë e pëlqejnë %d blogues: