Dyer te hapura

Nje mendim per ty, nje mendim nga ty!

Në shpirtin e gjithshkaje

Rastësisht zbulova se vajza e vogël kishte krijuar një zakon me macen e shtëpisë. Çdo natë, përpara se të flinin, macja sykaltër shtrihej në jastëkun e saj. Pasi largohej, e vogla e kthente jastëkun nga ana tjetër. Njëra anë e maces, tjetra e saj! Ky zakon, një hiçgjë përballë oqeanit të përditshmërisë, do të jetë për të një fill shumëngjyrësh në litarin e shpresës ku do të mbërthehet në vitet e pjekurisë. Nuk mu desh shumë për ta kuptuar, më mjaftoi rikthimi në kohën e kalave me rërë buzë detit, gropave të mbuluara tek të cilat ngrinim rrengje si lojcakë çamarrokë, gëmushat pas të cilave krijonim një botë krejt tjetër nga ajo për të cilën na flisnin. Një botë që ngrihej e mbahej pas një pikle uji, një vizatimi me laps të zi në letër të bardhë, një reje të hirtë, një ëndrre kuptimplotë.
Një bote mbi balonën që fluturonte lart e nuk përpiqeshim aspak të kuptonim nëse ishte balona që dhuronte liri, apo ne po fluturonim.
Në frymën time, në frymën tënde,
në ëndrrën time, në ëndrrën tënde,
në çdo po apo jo,
në çdo gjurmë apo lëshim,
në kohë apo vonë,
në shpirtin e gjithshkaje;
Jeta merr kuptim!

Dyert Hapur ©

Iva Verzivolli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Back to top
Këtë e pëlqejnë %d blogues: