Një çast nga unë

I hodha tutje rrobat e shtëpisë, ato të zyrës dhe ato të përditshmërisë. Mbatha atletet dhe u vesha me ç’ka i shkon për shtat një paraditeje të gjatë ecje dhe vrapi. Kisha humbur shumë fundjava të tilla, disa prej përtesës, disa prej shiut, disa prej dëshirës për t’u larguar më shumë se kaq. I lashë të tre pas e nisa vrapin në rrugën e shtruar rishtazi përmes pemëve që tashmë shndërrijnë, luleve që kanë ngritur kryet me ngjyra të ndryshme. Çuditërisht u ndjeva e pushtuar, rrugët e mia tashmë ishin shkelur nga qindra këmbë njerëzish, të vetëm, të grupuar në familje (qartazi dallueshëm nga përbërja), në çifte (përqafuar, pëdore). Kuptova se nuk ishte ditë për vrap kjo. Kjo ishte një ditë për të vrojtuar e menduar, një ditë ndërgjegjësimi.
Një bebe e vogël që qan e i vëllai që i tregon topin e tij në këmbim të një buzëqeshje. Dy djem të rinj, ecin shkujdesur pa vënë re sesi hija e tyre gati sa nuk përplaset me atë të dy të moshuarve; shikimin e kanë tutje, drejt vajzave që të lodhura nga volejbolli shtriqen drejt rrezeve të diellit. Një tjetër djalë i ri më tutje me qenin e tij të pabindur. Një çift në moshë të mesme, as të rinj e as të moshuar kanë marrë me vete vaktin e drekës e janë ulur në trungjet e prera të pemëve; përgjasim i përkryer i një sofre në natyre. E si mund të mos më udhëtojë mendimi ndër vite, tutje, aty ku unë e prindrit e mi, motra ime, pasditeve të një pranvere si kjo, vinim tek këto kodra bashkë me vaktin tonë. Tashmë, s’mund të them se asgjë s’ka ndryshuar… Shumë janë shtuar, shumë mungojnë nga ajo kohë. E lashë rrugën, asfalti nuk bën për mua. Nëpër kodrina shikon të tjerë që si unë u largohen gjullurdisë. Adoleshentë në kapitullin e eksplorimit, bashkëmoshatarë të mitë që diku kanë lënë dikë a diçka në përpjekje të zbërthimit të qoshkave që sapo janë shfaqur. Papritur e pamenduar e gjej veten në rrugën e kthimit, si zakonisht duke nxituar. Nxitimthi vjen e nesërmja ndaj nëse nxitoj dhe vetë mund të më mbetet edhe më shumë kohë nga kjo e sotmja. Një violinist përbri ecjes sime, hijes sime duke shkruar…

Dyert Hapur ©

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.