Një ditë e imja (Jo e letrave)

Kur në mëngjes zbulon se fustani që kishe menduar të vishje për në punë është i palarë e të duhet të improvizosh zgjidhjen në vetëm pak minuta kohë, kupton që dita është ters.a
Ters nis dita kur, megjithë përpjekjet për të fituar kohë, pasi ke dalë nga shtëpia, të mbërthen frika se ke harruar hekurin në prizë, kafen duke zier ende, dushin hapur. Ti je e sigurt që asgjë nga këto nuk është e mundur, por ndërkohë fryma po të zihet e kthehesh në shtëpi. Pa harruar çelsat që bien përtokë e megjithë peshën e çantës e laptopit të duhet të ulesh t’i mbledhësh. Ja ku del sërish, por dita që është ters nuk do quhej e tillë nëse nuk do të ekzistonte “piloti i pellgjeve” që të nderon me një spërkatje shiu pranveror. Më në fund zë vend në autobuz, pak rëndësi ka nëse moti është me shi apo jo, sido të ishte në një ditë tersi nuk ia vlen ta diskutosh. Dita e punës, le të mjaftohemi me faktin se është e hënë! Sado të përpiqesh të bësh gjithshka pa çuar për dreq asgjë, është e pamundur. Krejt papritur e gjen veten në orët e pasdites duke punuar sikurse të ketë nisur një ditë e re pune. E në një ditë tersi dita e punës zgjat plot dymbëdhjetë orë pune e një cigare. Në fund plas laptopin në tavolinë, mbledh rrëmujën mbi tavolinë dhe e fut në çantë, merr krahun e daljes nga zyra, kujtohesh se nuk ke telefonin me vete. Kthehesh, merr telefonin dhe kështu për disa sekonda (më pak se një minutë) vonesë të zë një shi që bie sikur ta kishin rrahur. Futesh në makinë dhe vetes i thua, në një ditë tersi nuk mund të fitoje as dhe më pak se një minutë. Duhet të bësh dhe një detyrë të fundit, por sërish dita e gabuar triumfun! Punonjësi i agjensisë ku do të rezervosh udhëtimin e fundjavës është larguar vetëm dhjetë minuta më herët. Hipën në makinë dhe i thua vetes se nesër është ditë tjetër dhe mbase, mbase, për hir të të sotshmes mbase e nesërmja nuk do të jetë një e martë tersi.

Dyert Hapur ©

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.