Njehsoj, njësoj!

Rruga drejt shtëpisë sime, jo domosdoshmërisht, kalon nga banesa jote. Megjithëkëtë edhe sot, pas kaq shume vitesh të kaluara, e gjej veten tek drejtoj timonin e makinës në kthesën e parafundit. Lë asfaltin e shtruar e punë minutash do të kem kthyer shikimin djathtas, drejt ndërtesës para së cilës të përqafoja çdo mbrëmje. Rituali nuk ka ndryshuar, veçse sot po përcillkam ndryshe: “Lagja nuk ka ndryshuar, e njëjta trajse; plot me zhurmnaja kafenesh, shtëllunga oxhaqesh, shushurima pemësh. As rruga nuk ka ndryshuar, vazhdon të më duket e ngushtë. Për pak harrova se edhe kthesa ka mbetur e njëjta, pa një tabelë rrëfyese; duket sikur u lë shteg veç atyre që e njohin rrugën dhe jo të tjerëve, të panjohurve. Si ta ketë zbuluar këtë kthesë ai? Do ketë qenë shkruar në ndonjë tavolinë ku stiset fati. Njerëzit, të njëjtat silhueta! Pak rëndësi kanë fytyrat, format janë po ato; disa shtatlartë e të hollë, disa të lakuar e të lëkundur si lavjerrës, të tjerë thuajse krejt pa formë, katrorë. Dikush po ngjit shkallët, ngadalësoj! Hej Zot! S’mund të jesh ti! Por dhe të jesh, s’mund të jesh njësoj! Ec! I them vetes, idjot! E të ishte? Ç’mund të bëje? Ajo ka ndryshuar, është tjetërsuar në formë dhe në kohë! Veç unë dhe kjo mëhallë mbetëm njësoj!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.