Njerëzit e rrugës

Mëngjeseve njeriu ç’nuk shikon! Njerëz me shapka e rroba të veshura në mënyrë të shkujdesur që nxitojnë pë pazarin e ditës, zakonisht këto janë shtëpiakët, ose ata të turneve të dyta apo të treta. Njerëz të veshur mirë, të hekurosur, nga ata që veshjes së mëngjezit i kushtojnë një proçes të tërë të dedikuar, i cili më pas vijohet nga tualeti, parfumi, stolitë. Këta janë punonjësit, drejtuesit e korporatave, ndonjëherë dhe institucioneve, edhe pse këta të fundit shpesh mund t’i dallosh dhe nga detaje të tjera.
Njerëz të veshur në mënyrë diskrete, me ngjyrat e tokës, për t’u shkrirë njësh me të si një amalgam. Këta janë ende duke luftuar për t’u besuar! Nuk kanë arritur ende në formën e tyre të plotë.
Ka edhe disa njerëz, të cilët nuk i shikon dot në mëngjez. Ata i shikon tek shfaqen në rrugë orëve të pasdrekës. Kanë një zakon të veshuri krejt ndryshe nga secila kategori mëngjezore. Shkujdesur aq sa për të tërhequr vështrime, kujdesur aq sa vështrimet të hidhen vjedhurazi! Janë trupa të zhdërvjellët në mendje po aq të zhdërvjellta e shpirtra të shkëputur mes rrymave të ajrit; herë në rënie, herë në ngritje. Janë njerëzit e rrugës! Ata me të cilët rruga identifikohet në kuptimin e saj më të ulët, e shoqëria justifikohet me arsyetimin e saj më të lartë. Janë njerëzit e rrugës, ata që me rrugën ushqehen, trotuareve të saj prehen e me kalimtarët e saj gjenden herë pas here të bërë palë.
Ka dhe nga ata, më të fundit fare, që paçka se njerëz të rrugës, janë ushtruar të zgjohen herët në mëngjes dhe të veshin petkun e mëngjezorëve; njerëz rruge, mëngjezorë pa identitet.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.