Nul

Në përcjelljen tënde isha e mpirë. Nuk isha e lodhur, nuk luftoja me asgjë. Isha pezull, unë dhe ajri përreth. Mbaj mend se teksa njerëzit na shtrëngonin duart, për një fragment fillova t’i prezantoj. “Çfarë idjote e pandreqshme! Nuk mësove njëherë të sillesh siç e do ngjarja”. – Mbaj mend se dhe këto ia thashë vetes!
Kushedi sa herë kisha kafshuar buzët dhe masën mishtore të shpirtit para asaj dite, aq sa për të mos ndjerë më asgjë veç ajrit. Edhe të gjithë ditët që vijuan pas, veç unë e ajri ishim – në këtë skenar nuk kishte asnjë, ndaj dhe nuk mund të mungoje ti!
Veçse, ashtu siç qartësoht pamja pas avullit të frymëmarrjeve të nxehta në xhamin e akullt, ashtu dhe fytyrat e njerëzve filluan të më shfaqeshin një e nga një. Të qeshur, të ngrysur, të përlotur… Po çfarë rëndësie ka kjo, tani mungoje ti! Të gjithë ishin, por jo ti! Vetëm në këtë fragment kohor të lakuar e ndërgjegjshmja u zhyt në thellësinë më të largët të kurbës shqisore!
Lakimi është ndoshta i vështirë, por për fat të mirë ka shkallët e tij, e unë po i ngjis dorë më dorë mbështetur mbi të gjithë krahët e rrethit.

Dyert Hapur ©

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.