Përjashta, të gjithë!

Dhoma jonë është e vogël, mjaftueshëm për gjysmën e qënies time të mbetur dhe vajzat. Seç u bë ca kohë që na kanë vërshuar vizita të çuditshme: teto jote me gjithë paragjykimet e saj, motra ime me fantazinë e saj të pakufi (si mund të shkojë çdo gjë për dreq, si mund të jenë të gjithë duke komplotuar, duke mashtruar, tradhëtuar). Shkurtimisht na ka nderuar dhe xhaxha Geridi së bashku me “biblën” e tij të predikimeve për një jetë “qelibar”.
Nga sot do t’i nxjerr të gjithë përjashta, jo një e nga një. Të gjithë bashkë, jashtë! Do i nxjerr e do shpëtoj si stomaku pas një trazimi.
Përjashta, të gjithë! Nuk di si mbërritët tek unë. Këtu nuk ka ura, nuk ka rrugë. Veç një dhomë, shtretërit dhe unë.Më thuaj ti, si mund të jetojë njeriu pa mëkatuar në një dhomë 3 me 3, strehë lufte, me të vetmet doza mbijetese – dy vajza të mitura.

Një zot e di sa kam mëkatuar me mendjen time. Kam mallkuar nga gjeneza, brez pas brezi, gjithë vijën e gjakut të atyre që na sollën këtu. Me këto duar i kam vrarë, disa here, në mënyra të ndryshme.

Nuk di sa herë i kam gjykuar gratë e tyre për indiferencën e pashoqe ndaj fatit të zi të fëmijëve të mi. Një zot e di sa do doja të ishin dhe ato këtu, në dhomën 3 me 3 ngjitur, përbri.
Po fati s’do!
Ndaj e vetmja gjë që mund të kontrolloj mbeten këto pak metra katrorë.
Përjashta, të gjithë!

Dyert Hapur ©

Lini një Përgjigje