Piano

Të ndodh ndonjëherë që një lëvizje krejt e pakuptimtë të vërë në punë një mekanizëm të ri, pasojat e të cilit nuk je përgatitur të përballosh. Kështu më ndodhi dhe mua sot. Tek hapja derën e shtëpisë, në momentin kur u rrotullua çelësi për të fundit herë, më erdhi ndërmend seanca e parë e mësimit të pianos. Mësuesi i madh në moshë (38 vjeçar ishte, por në sytë e një 8 vjeçareje ishin plot tridhjete vite drite). Mbaj mend se si më përsëriste si simfoni notat muzikore; ishte melodi. Dhoma qe e madhe, e pamatshme me hapat e mi. Dritaret me perdet anësore prej atlasi blu dukej sikur të ishin pragu ndarës me detin, verën, harenë. Rryma te freskëta vinin nga jashtë e mendja ime, vetja ime, ishte krenare. Isha në orën e pianos; kisha marrë përsipër një përgjegjësi që do të më siguronte famë, të ardhura dhe katandi. Çfarë entuziazmi!
Sikur ta dinte vajza tetë vjeçare se nga ai moment e 30 vite më pas, sapo kam hyrë në shtëpi pas tetë orësh punë. Kam po aq famë sa kishte teto që shiste lëngje frutash në rrugicën e vjetër dhe të vetmet taste që u bie janë ato të kompjuterit të zyrës sime. Ndoshta ajo do të tromaksej! Do të më përçmonte e do të më shikonte si një dështake. Por une jo! Jam kaq e lumtur në kolltukun tim; tek shlodhem me këmbët zgjatur në njërën anë, takat rrëmujshëm në korridor në pritje të ardhjes së vajzave. Kur ato vinë dita nis, jeta zgjohet dhe ajo vajza e pianos tjetërsohet, harrohet! Tjetërsohet si një ëndërr mëngjesi, e pavlerë, e pakuptimtë!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.