Segmenti i Çmendisë

Në këtë odën e përditshmërisë që hera-herës e ndajmë dashamirësisht, hera-herës e dhunojmë egërsisht, ka diçka që mban gërshetuar brishtësinë e kohës me gjendjen tonë në këtë dimension.
Dy janë shqetësimet; ose koha qëlloi të ishte e vonuar a e nxituar, ose ndodhemi në dimensionin e gabuar.
Paçka gjithshka që rrotullohet si një vorbull përreth odës, jemi unë edhe ti që duhet të qëndrojmë përballë e të ruajmë “segmentin e çmendisë”. Trazimi më i vogël i rrymave të odës do të ushqente vorbullën me fuqi përthithëse dhe tjetërsuese. Tjetërsimi nuk më pëlqen e ndaj, gjithmonë, nëse ti tërheq unë frymën lëshoj, e kur lëshohesh ti unë fillin e tërheq me aq fuqi sa të duhet për tendosjen (kurrsesi këputjen) e “segmentit të çmendisë”.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.