Shtëpia e re

Sot është e vështirë të kesh një shtëpi – një ndërtesë me katër a më shumë mure brenda së cilës kalon përditshmëria jote, ndoshta vetëm një pjesë e saj, ajo më e madhja. Duke qenë se të kesh është e vështirë, të ndash bëhet dhe më e vështirë. Kur ke vite që ndan një hapësirë me të njëjtit bashkëjetues, mësohesh me ta; me buzëqeshjet e tyre, nënqeshjet gjithashtu; me kokat që kthehen mënjanë, me shpatullat drejt gjithashtu; mësohesh me zhurmën e këpucëve, që herë vinë heshtur e herë duke u tërhequr. Mësohesh me zërin e lartë dhe me pëshpërimën, me tingujt e lakuar, por dhe ata të përdredhur. Mësohesh me ta, bëhesh pjesë e tyre, jep e merr si një e tërë pa e kuptuar as si as sa, ndonjëherë as përse. E nëse të vinë të tjerë bashkëjetues, të tjerë, të rinj, krejt papritur gjithshka ndodh merr tjetër kuptim. Supet rrinë drejt, buzëqeshjet ngrijnë, këpucët heshtin, zërat nuk reshtin.
E megjithatë, shtëpia e re ishte po njësoj, na ftoi brenda me të gjitha ngjyrat e qiellit. Në shportën e saj ka plot trajta e lakime, sikurse dielli lakohet përmej qindra mijëra perëndimesh.

Shtëpia e re ishte e ngrohtë, me dyert hapur, pa hije; shtëpia e re tashmë e plotë!

Dyert Hapur ©

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.