Shtëpia me muret ngjyrë qumështi

Kam ditë që i shkoj përreth shtëpisë me muret ngjyrë qumështi. Dritaret e saj vinë në nivelin e lartësisë së shikimit tim dhe unë mundem të shikoj çajnikun prej alumini ku vlon çaji sherebelës. Tavolina është e shtruar me mbulesën e kuqe prej cope të plotë. Nuk arrij t’i shoh qartë divanet, por janë të vendosur në këndin më të ndriçuar të shtëpisë dhe kjo më lehtëson. Nga largësia ku qëndroj, kaq më është e mundur të shikoj nga brendia e shtëpisë me muret ngjyrë qumështi.
Jashtë saj ka plot elemente të dallueshme: pusi i vogël që mbulon nevojën për ujë sa here tubacionet thahen; lisharësja ku plogështohen ëmbelsisht fëmijëria, adoleshenca, maturia dhe pleqëria; gardhi i drunjtë që mbështjell shtëpinë pa dashur t’i bëjë kontrast, madje duke u shkrirë në të.
I vi rrotull sërish, s’më lëshon mendimi se mund të ishim unë e ti në këtë shtëpi. Ndaj i vi rrotull, ta lëshoj unë këtë mendim, ta lë e të shkrihet dhe ai me gardhin, të bëhen një.

Dyert Hapur ©

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.