Teatri, Panairi dhe Libri

Panairi i Librit zhvillohet një herë në kaq, në kohë të ndryshme, në të njëjtin vend. Këtë herë pata vendosur se do të merrja dhe vajzat me vete. Tashmë janë mjaftueshëm të rritura për të dalluar një turmë njerëzish nga njerëz të vënë në rradhë përballë stendave të librave. Fati e desh që rruga për në panair, ta kishte pikënisjen pikërisht nga “Teatri”. Deri vonë i kam qëndruar larg debatit të ndezur rreth tij, por nga sot s’do mundem dot më. Vajzat më pyetën, përse ishin mbledhur aq shumë njerëz në një orar pa shfaqje. U shpjegova se donin të shembnin teatrin. Është ndërtim pa leje? – Më pyetën sakaq. Nga ta kishin dëgjuar këtë përkufizim?! Mendja më vërshoi në trumbetimin që po i bëhet së fundmi zhdukjes së ndërtimeve pa leje në qytet.
– Jo, por shteti, i cili ka pushtetin, ka vendosur që ta prishë e të ndërtojë në vend të tij një ndërtesë të re “shumë-dimensionale”. Një nga dimensionet, do të jetë një teatër i ri.
– Po këta njerëz kush janë?

– Banorët e teatrit! Në të janë shkolluar, rritur. Në të kanë mësuar artin e dhurimit të ndjenjave, e rrënqethjes së shpirtit të tjetrit, madje dhe të kujt ka harruar se e ka një shpirt.

Vazhduam drejt panairit, kaluam përbri strehës së pushtetit dhe pas pak çastesh u duk ndërtesa e Panairit. Plot për plot! Drita, njerëz, aromë letrash, aromë shprese, aromë jete! Vajzat zgjodhën librat e tyre, unë për vete dhe një për ty.
-Na thuaj diçka për librin…më thonë drejt fundit.
-Njeriu mund të njohë deri diku veten, por kurrë tjetrin. Libri është një derë e hapur, për të parë botën përmes qënies së tjetrit – autorit.
Dalim nga Panairi, të mbërthyera deri në fyt nga të ftohtët. Nisim të përshkojmë të njëjtën rrugë, së prapthi. Përballë Strehës së Pushtetit, vajzat më ndalojnë.
– Eja t’u çojmë librat, t’i lexojnë. Ndoshta do e shikojnë Teatrin ndryshe. Ndoshta do ta shikojnë siç e shikonin fëmijët e tij, banorët e tij. Ndoshta dhe ata gabohen, por kjo mund t’i ndihmojë të kuptohen…bën kaq shumë ftohtë përjashta!

Dyert Hapur ©

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.