Trokitja

Trokita në xhamin e makinës tënde njësoj sikur trokisja në dritaret e tua atëherë kur ishim të vegjël. Ne kishim një oborr, na ndante veç një lule kacavjerrëse e kryeneçe që qe kapur nga pema në pemë e kishte krijuar një gardh njomzak. Sot, teksa binte një shi i lehtë dhe gjethet kërruseshin nën të hera-herës, me flokët e lagur dhe shikimin drejt teje, gjysmë sime të përjetshme, mu kujtua vegjëlia.
Thua e kujton ndonjëherë atë kohë të largët? Nëse po, si përcillesh mes ditëve e viteve të shumëzuara me dashuri? Sa herë mendoj ta ndaj me ty këtë pyetje, por sprapsem pasi mendoj se jemi rritur shumë. Tashmë jemi shokë! Ndajmë mes nesh detyra, arritje, dështime e kënaqësi të rriturish, por unë jam e bindur se kurrë dhe asgjë nuk do të jetë njësoj! Njësoj si rrezja e ngrohtë rreth vajzës së vogël me kaçurrela që përkulej nën gardhin e njomë e trokiste me guriçka në dritaren e dhomës ku flije ti. Aty flinte një ëndërr, një magji, një jetë, një dashuri!

Dyert Hapur ©

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.