Dyer te hapura

Nje mendim per ty, nje mendim nga ty!

Unë jam vera

Unë jam vera, nuk shquhem për të qënurit një emër i përveçëm pasi jam e përsëritshme, vit pas viti nëpër shekuj. Sërish vi dhe sivjet! Më gjen kudo; në degë pemësh, në shtroja toke, në ballkone betoni, madje dhe mes tullash kam ngritur krye! Unë jam vera!
Qielli vazhdon të jetë më zemërgjeri, më bujari. Hapësira e tij nuk ka as fund as fillim, krahëhapur i gjithi për mua pa mbarim. Unë jam vera!
Paçka se çdo vit largohem, kam mësuar të lë gjurmët e mia, aromën time, ngrohtësinë e petaleve, përqafimin e çdo dege krahëkëputur që pret të lëshojë filiza të rinj për jetën, gjithmonë e më shumë. I lë tek ju të gjithë, çdo largim! Unë jam vera!
Kthehem pas çdo largimi, por teksa gjurmoj shpirtrat ku kam lënë strehë, shpesh më ndodh të mos i gjej. Më kanë tretur, më kanë harruar, dimrit i janë lëshuar e kanë ngrirë në hijen e tij të acartë. Ama, unë jam vera!
Sërish do të vi, tek çdo shpirt i buzëqeshur, tek çdo fytyrë e ngrysur do trokas edhe më gjatë, se verës çdokush, gjithmonë, derën do ia hapë!
Unë jam vera, syqeshur, buzagaz!

Dyert Hapur ©

Iva Verzivolli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Back to top
Këtë e pëlqejnë %d blogues: