Universi i Dashurisë

U ndezën drita këtë djelë e qielli ndriu paçka se nuk pati diell. Kur mendoj se sa letra të kam dërguar, më vjen të qesh me veten dhe absurdin e sjelljeve të mia. Përveç ndonjë letre ku qëllimi ishte të rrëfeja ndonjë ndodhi të përveçme në këto kohë të palakueshme, të gjithë të tjerat janë mbulesë e një fjalie të vetme: Unë të dua. Qesharake apo jo, se si njeriu i trembet një fjalie kaq të thjeshtë. Mjafton të kisha postuar një letër të vetme me këto fjalë dhe do i kisha kursyer postierit disa kilometra në këmbë, bota do të kishte disa letra më pak për të djegur, më pak mund për të fshirë gjurmë. Unë të dua! Ndoshta nuk është frikë, ndoshta është dëshira tekanjoze për të lozur me fjalë e për ta mbajtur shpirtin gjallë teksa jemi larg, gjeografikisht të ndarë. Do të shkruaj letra e këtë fjali jo. Do të shkruaj letra derisa do të varim mbi një prej mureve të shtëpisë sonë hartën e rrugëve të përshkuara deri në bashkim. Harta do të jetë ajo e “Universit te dashurisë”

Dyert Hapur ©

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.