Zgjedhja

Kam qenë zgjedhja jote që në ditën e parë. Më ke zgjedhur dhe ende më zgjedh, çdo ditë. Nuk e kisha menduar më parë, të kam marrë për të mirëqënë dhe as vetë nuk di përse. Ndoshta kam menduar se nuk ke bërë asnjë përpjekje për të më zgjedhur, se më ke zgjedhur “me lëkurë” a me nuhatje, ashtu, krejt natyrshëm. Sot, nuk di se si më vërshuan përpara gjithë këto vite, mëngjese pa fund, perëndime pa mbarim, tërheqje, shkëputje, tërheqje serish…dhe i thashë vetes nën zë…ti më ke zgjedhur çdo ditë, paçka gjithë ecejakeve, shndërrimeve, largimeve. Më duhet të të them faleminderit! Përtej gjithë larmishmërisë së ndjenjave që na përshkojnë, faleminderit që më zgjedh!
Veçse, të dish që dhe unë të kam zgjedhur! Të kam zgjedhur ty përmbi gjithë kuptimet dhe keqkuptimet, mëritë dhe paqartësitë!
Faleminderit që më zgjodhe dhe faleminderit që dhe sot zgjedhja ime vlen!

Dyert Hapur ©

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.